- 05 - 06 - 2023
Një top i zjarrtë, që ndriçoi qiellin në Britaninë e Madhe dhe Evropën Veriore, më 28 Shkurt ishte një lloj jashtëzakonisht i rrallë meteoriti, fragmentet e të cilit u zbuluan në një rrugëkalim në Cotswolds dhe që mund të japin përgjigje pyetjeve lidhur me historinë e hershme të sistemit diellor dhe jetën në Tokë.
Rreth 300 gramë meteorit u morën nga qyteti Gloucestershire në Winchcombe nga shkencëtarët, të cilët u shprehën se shkëmbi ishte formuar nga kondrite karboni. Substanca është një nga materialet më primitive dhe të pacënuara në sistemin diellor dhe njihet për përmbajtjen e materialeve organike dhe aminoacide, përbërës për jetën.
Muzeu i Historisë Natyrore në Londër bëri të ditur se fragmentet u morën në gjendje shumë të mirë dhe shumë shpejt pas rënies së meteoritit saqë ato mund të krahasohen me mostrat e shkëmbinjve të marra nga misionet hapësinore, si në cilësi ashtu edhe në sasi. Topi i zjarrtë u pa nga mijëra dëshmitarë okularë në të gjithë Britaninë e Madhe dhe Evropën Veriore rreth orës 21:54 pasdite, lokale më 28 Shkurt.
Trupi hapësinor po udhëtonte me rreth 14 kilometra në sekondë, para se të godiste atmosferën e Tokës dhe të binte në një rrugë në Winchcombe. “Meteoritet janë shumë më të vjetër se çdo shkëmb në Tokë. Ata zakonisht udhëtojnë për mijëra vjet nëpër hapësirë para se të bien në planetin tonë”, theksoi muzeu.
Ndërkohë, që një tjetër trup qellor është vëzhguar duke udhëtuar me rreth 42,000 milje në orë mbi qiellin e Vermontit verior dhe në Kanada, të Dielën në mbrëmje. NASA Meteor Watch njoftoi se më tepër se 100 persona vështruan meteorin rreth orës 17:38 pasdite me orën lokale.
˝Meteori u pa duke udhëtuar në verilindje përmes 33 miljeve nga Mount Mansfield State Forest në Beach Hill në Orleans County në jug të Newport˝, theksuan burime zyrtare. NASA Meteor Watch bëri të ditur se objekti ka të ngjarë të ishte një fragment i një asteroidi. "Trupi hapësinor u copëtua duke prodhuar një valë presioni, që tronditi ndërtesat", shtoi agjencia.