Egjipt: Të paktën 32 të vdekur pas përplasjes së dy trenave

Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe 108 të tjerë janë plagosur pas përplasjes së dy trenave në Egjipt, bënë të ditur burime zyrtare. "Përplasja ndodhi pasi një person i paidentifikuar tërhoqi një frenë emergjence", theksuan burimet zyrtare. Autoritetet njoftuan se ngjarja ndodhi rreth orës 5:42 të mëngjesit me orën lokale, kur një tren që udhëtonte nga Aswan drejt Kajros goditi pjesën e pasme të një treni tjetër, që ishte nisur nga Luxor drejt Aleksandrisë dhe që ishte bllokuar në vijën hekurudhore, pasi u aktivizua frena e emergjencës.

Treni

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi deklaroi se "kushdo që ka shkaktuar aksidentin e trenit do të dënohet". Kryeministri Mostafa Madbouly shtoi se çdo "gabim ose neglizhencë nuk do të tolerohet dhe autori i krimit do të mbajë përgjegjësi mbi aksidentin". Dy vjet më parë, të paktën 25 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri në stacionin Ramses në qendër të Kajros, pasi një tren u përplas me platformën duke shkaktuar shpërthimin e rezervuarit të karburantit.

treni

Një përplasje mes dy trenash në Aleksandri, qyteti i dytë më i madh i Egjiptit, në gusht të vitit 2017 shkaktoi më tepër se 40 viktima dhe shumë të tjerë të plagosur. Në vitin 2012, 44 fëmijë humbën jetën pasi një tren u përplas me një autobus shkollor në Asyut. Por aksidenti më fatal në historinë hekurudhore egjiptiane ndodhi në vitin 2002, kur një zjarr në një tren pasagjerësh, që udhëtonte nga Kajro për në Luxor shkaktoi më tepër se 360 ​​viktima.

Treni