- 21 - 03 - 2023
Një tren pasagjerësh me 490 persona në bord doli nga binarët, në një tunel, në lindje të Tajvanit duke shkaktuar të paktën 50 të vdekur dhe dhjetra të plagosur, bënë të ditur burimet zyrtare. "Treni me tetë vagonë po udhëtonte drejt Taitung, kur doli nga binarët në një tunel në veri të Hualien, sot në mëngjes duke bërë që disa vagonë të godisnin murin e tunelit", njoftoi Agjencia Qendrore e Lajmeve.
Drejtuesi i trenit ishte mes viktimave dhe të paktën 69 të mbijetuar po trajtohen në disa spitale në rrethin e Qarkut Hualien. "Disa prej viktimave janë ende në pritje të identifikimit", theksuan burimet zyrtare. Zyrtarët njoftuan se një shtetas francez kishte humbur jetën si pasojë e përplasjes, ndërsa dy shtetas japonezë dhe një qytetar i Makau ishin mes të plagosurve.
"Të paktën 156 persona u plagosën si pasojë e përplasjes", deklaroi një zyrtar i qeverisë lokale gjatë një konference shtypi. "Qeveria ka përcaktuar gjithashtu një plan kompensimi për çdo pasagjer, i cili do të shpërblehet me 185,500 dollarë të siguruara për familjet e viktimave. Ata të cilët janë plagosur rëndë do të marrin secili nga 91,000 dollarë dhe pasagjerët e tjerë të dëmtuar do të marrin 14,000 dollarë", shtuan burimet zyrtare.
Liderët e vendeve fqinje shprehën ngushëllimet për viktimat dhe ofruan ndihmë autoriteteve Tajvaneze. Në vitin 2018, 18 persona humbën jetën dhe 175 u plagosën, kur një tren doli nga binarët në verilindje të Tajvanit.