Plagoset me armë zjarri një i ri në Tiranë

Policia ka identifikuar personin, i cili qëlloi dhe plagosi Redi Kaçorrin, 19 vjeç pasditen e kësaj të Enjte. Burime nga organet e rendit kanë zbuluar se autori, i cili plagosi adoleshentin është shtetasi Klajdi Kodra, 31 vjeç nga Laçi, i cili ka edhe të dhëna të mëparshme kriminale. Pas ngjarjes, autori u largua me shpejtësi, por policia e identifikoi dhe e shpalli në kërkim dhe aktualisht po punon për kapjen e tij.

policia

Nga ana e tij, 19-vjeçari u qëllua në bark, por ai ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Më parë, autoritetet bënë të ditur se incidenti ndodhi rreth orës 15.45, në rrugën "Liman Kaba", pranë një lokali. Burime zyrtare theksuan se në rrethana ende të paqarta, shtetasi Redi Kaçorri, 19 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve dyshohet se u plagos me armë zjarri.

Personi, i cili goditi gati për vdekje këtë të Enjte pasdite 19-vjeçarin Redi Kaçorri ka të dhëna të mëparshme kriminale. Krejt i njohur për Policinë e Shtetit, 31 vjeçari Klajdi Kodra është djali i nënkampiones së qitjes Lindita Kodra. Ndërkohë, Kodra është dënuar disa herë më parë për "vepra penale", "vjedhje" dhe "armëmbajtje pa leje".