Fier: Policia arreston mbi njëzet drejtues automjetesh për shkelje të Kodit Rrugor

Policia Rrugore e Fierit vijoi kontrollet për identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor për të parandaluar aksidentet rrugore. Si pjesë e kësaj nisme u arrestuan 22 drejtues mjetesh dhe u vendosën mijëra gjoba. Specialistët e Sektorit të Trafikut Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë rritur kontrollet në të gjitha akset rrugore, në kuadër të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe këshillimit, identifikimit dhe ndëshkimit të drejtuesve, të cilët drejtojnë automjetin në mënyrë të parregullt duke u bërë shkak i aksidenteve rrugore.

Policia

Si rezultat i këtyre kontrolleve, u morën 13 leje drejtimi dhe u vendosën 3341 masa administrative, nga të cilat 225 për mosvendosje të rripit të sigurimit. U vendosën 905 masa për parakalime të gabuara ose manovra të rrezikshme dhe 221 masa për shkelje të ndryshme të tjera të Kodit Rrugor. Gjithashtu, gjatë muajit maj, 22 drejtues u arrestuan në flagrancë, nga të cilët 13 shtetas, të cilët drejtonin automjetin pa leje drejtimi dhe 9 shtetas për përdorim të alkoolit.

Policia

Oficerët e Policisë Rrugore në Fier kanë këshilluar drejtuesit e mjeteve për pasojat e përdoruesit të alkoolit gjatë drejtimit të automjeteve dhe shpejtësisë. Policia Rrugore e Qarkut Fier falënderon qytetarët për bashkëpunimin. Policia i fton ata të raportojnë në numrin 112 çdo shkelje të Kodit Rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.