Busti i Skënderbeut vendoset në Budapest

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vlerësuar mikpritjen këtë të hënë, në Budapest, me rastin e përurimit të bustit të Heroit Kombëtar të Shqipërisë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Meta reagoi në rrjetet sociale pas eventit duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme, që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, madje edhe në kuadrin e proceseve të integrimit në NATO dhe BE. “Mikpritje e ngrohtë dhe miqësore në Budapest, nga homologu im, Janos Ader. Jam i lumtur të konfirmoj se marrëdhëniet e shkëlqyera, historike dhe tradicionale mes dy vendeve dhe popujve meritojnë të forcohen dhe të thellohen më tej në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, deklaroi Ilir Meta.

Busti

“Shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të proceseve të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, gjë që na ka motivuar më tepër për të vazhduar në rrugën e pakthyeshme të reformave dhe plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme për hapjen e anëtarësimit të negociatave”, theksoi ai. “Falenderova Presidentin Janos Ader për kënaqësinë e veçantë që më dha për të përuruar së bashku bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skanderbeg në Budapest, një simbol i ripërtëritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe të ardhmes së tyre premtuese”, shtoi Meta.

Busti i heroit tone kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u vendos në parkun kombëtar të Budapestit, në Hungari. Busti u inauguruar me një ceremoni zyrtare, ku mori pjesë presidenti Ilir Meta, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe homologu i tij hungarez. Busti i Skënderbeut i punuar me kujdes nga skulptori Agim Rada është vendosur përballë bustiti të bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadi. “U deshën 20 vjet për të mbërritur deri në këtë ditë”, deklaroi Veliaj, pasi kjo iniciativë nisi që në kohën e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës me kryetarin e Bashkisë së Budapestit atëherë.