Arrestohen 11 drejtues automjetesh në 24 orë

Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, shpejtësia në rrugë, parakalimi i gabuar dhe shumë shkelje të tjera janë konstatuar gjatë 24 orëve të fundit nga kontrollet e Policisë Rrugore në të gjithë Shqipërinë. Rritja e besimit të qytetarëve në Polici ka sjellë prangosjen e një 52-vjeçari, i cili po drejtonte një furgon mallrash në rrugët e Tiranës, në gjendje të dehur, në masën 0,77 mg/l duke përdorur celularin e tij gjatë udhëtimit dhe duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, që mund të kishin rrezikuar jetën e kalimtarëve. Policia Rrugore e Tiranës bllokoi automjetin në rrugën “Bardhyl” dhe vuri në pranga drejtuesin, për të cilin u pezullua leja e drejtimit për 24 muaj duke i hequr 8 pikë dhe duke u gjobitur me 95,000 lekë.

Automjete

Falë denoncimeve nga qytetarët për parkim të gabuar në vijat e bardha, në trotuar, në parkingje të invalidëve ose në hyrje të ndërtesave, 123 drejtues në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masa administrative, shumica e tyre nga Policia Rrugore e Tiranës. Gjatë kontrolleve janë përdorur radarë në të gjitha akset rrugore dhe qendrat e banuara. U zbulua se shpejtësia ishte dyfishi i lejuar në qendrat urbane, deri në 174 km/orë në rrugën interurbane Fier-Vlorë, ku drejtuesi i automjetit A.K. u ndëshkua me pezullim të lejes së drejtimit 3 muaj dhe me masë administrative 20 000 lekë.

Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit, 11 drejtues mjetesh u arrestuan në flagrancë, nga të cilët 4 në gjendje të dehur dhe 7 pa lejedrejtimi. Janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilët 33 për shpejtësi përtej normave të lejuara dhe 10 për përdorim të alkoolit. Gjithashtu, 2481 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor që paraqesin rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, përkatësisht për parakalim të gabuar, shpejtësi në lidhje me normat e lejuara, përdorim të telefonit celular gjatë drejtimit, mosrespektim të semaforëve, mos mbajtja e rripit të sigurimit.