Shqipëria është një në katër vendet më pak të vaksinuara në Evropë

Shqetësimet për përhapjen e variantit Delta ka shtyrë të gjitha shtetet të përshpejtojnë normat e vaksinimit, si mënyra e vetme për të kaluar një valë të re sa më lehtë të jetë e mundur Sipas të dhënave nga Worldindata, Evropa mesatarisht ka vaksinuar të paktën pjesërisht 44,4% të popullsisë (32,2% plotësisht të vaksinuar, ndërsa 12,2% kanë marrë të paktën një dozë). Rekordin në Evropë e mban Britania e Madhe me vaksinim të pjesshëm prej 68% të popullsisë, prej të cilave 51,4% janë vaksinuar plotësisht, ndërsa 16,3% të tjerë kanë marrë një dozë. Qeveria Britanike ka njoftuar se vaksinimi ka pasur një ndikim të rëndësishëm në uljen e numrit të të shtruarve në spitale, të infektuar me variantin Delta.

Sipas një analize nga Njësia e Shëndetit Publik të Anglisë, vaksina Pfizer-BioNTech është 96% efektive ndaj shtrimit në spital, ndërsa vaksina Oxford-AstraZeneca është 92% efektive. Nevojiten më tepër të dhëna për të përcaktuar nivelin e mbrojtjes kundër vdekshmërisë nga varianti Delta, sipas raportit. Në vendin e dytë në Evropë renditet Belgjika me 66% të popullsisë të vaksinuar pjesërisht (43% me të dyja dozat), e ndjekur nga Hollanda me 65% (39% plotësisht të vaksinuar).  Austria është vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë në Evropë, që është vaksinuar plotësisht me rreth 54% në total. Italia ka vaksinuar të paktën 59% të popullsisë (39% kanë përfunduar procesin).

Vaksinime

Greqia i ka dhënë të paktën një dozë 50,5% të popullsisë. Rreth 42% kanë marrë të dyja dozat. Vaksinimi në rajon, Shqipëria mbetet prapa. Serbia vazhdon të jetë vendi me nivelin më të lartë të vaksinimit në rajon, megjithëse normat kanë rënë ndjeshëm, që nga Shkurti dhe Marsi, kur ajo u rendit e dyta në Evropë pas Britanisë së Madhe. Sidoqoftë vazhdon të ketë një peshë të lartë për popullatën plotësisht të vaksinuar, me 38% të totalit (40% pjesërisht).

Mali i Zi, që filloi vaksinimin më vonë se Shqipëria ka rritur normat më shpejt duke vaksinuar plotësisht 23% të popullsisë, ndërsa 2,3% të tjerë kanë marrë një dozë (25,2% gjithsej). Shqipëria ka ngadalësuar ritmin e vaksinimit. Që nga 12 qershori, vetëm 20,5% e popullsisë ishte vaksinuar pjesërisht. Rreth 15,2% e popullsisë kanë marrë të dyja dozat, 5,3% kanë marrë vetëm një. Maqedonia e Veriut gjithashtu ka vaksinuar pjesërisht rreth 20% të popullsisë (rreth 12% plotësisht). Pastaj në Evropë mbetën Bullgaria (14,2% e vaksinuar të paktën pjesërisht), Kosova (9,4%), Bosnja dhe Hercegovina (9,3%).