- 05 - 06 - 2023
Nga vendkalimi kufitar Qafë-Thanë, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u shpreh se mbështetja e SHBA-së po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurtë, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. E pranishme në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve nga USAID për autoritetet doganore, Ambasadorja Kim theksoi se ajo mbështet integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
“Ndodhem këtu për të theksuar se si mbështetja nga SHBA-ja po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurtë, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Jo shumë kohë më parë, kufijtë ishin si mure, veçanërisht në këtë rajon, me pretekstin e sigurisë kombëtare duke ndarë njerëzit, duke penguar tregtinë dhe besimin e ndërsjellë. Ndërsa sot ne qëndrojmë në një kufi, që jo vetëm është më i sigurtë, por synon t'i afrojë njerëzit dhe të çojë përpara integrimin e paqes dhe prosperitetit”, deklaroi Ambasadorja Kim.
“Sot, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në prag të anëtarësimit në BE dhe SHBA-ja e mbështet këtë qëllim. Pajisjet e blera nga USAID do të sigurojnë që autoritetet doganore të përmbushin standardet më të larta në procedurat kufitare, lehtësimin e mjedisit të biznesit dhe kontrollet e sigurisë”, shtoi ajo.
Bullgaria po mban veton për fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedoninë e Veriut, megjithë presionin në rritje nga Bashkimi Evropian. Kjo ka bërë që Shqipëria të dështojë në hapjen e negociatave.