Së shpejti do të hapet një kalim i ri kufitar Shqipëri-Mali i Zi

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka pritur ditën e Premte në një takim Zëvendës Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Tiranë. Politikanët e rangut të lartë kanë biseduar për çështje të shumta. Me më tepër interes është hapja e një kalimi të ri kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, që synon të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave. Gjatë këtij takimi, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Çuçi diskutoi çështje të ndryshme lidhur me sigurinë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Takim

“Sot patëm një takim dhe një drekë pune në Tiranë me Zëvendës Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili është gjithashtu një politikan i ri dhe ambicioz nga radhët e shqiptarëve në vendin fqinj. Diskutuam rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kontrollin e kufirit Shqipëri-Mal i Zi, veprimet e përbashkëta policore kundër trafikimit dhe krimit të organizuar si dhe monitorimin e situatës gjatë sezonit turistik, ku dihet që ka një fluks të shtuar të udhëtarëve nga të dy vendet. Lajmi i mirë është se së shpejti do të kemi një vendkalim të ri kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për të lehtësuar më tej lëvizjen e njerëzve dhe kapitalit”, deklaroi Çuçi.

“Dy vendet tona ende kanë fusha bashkëpunimi të pashfrytëzuara. Vizita e një përfaqësuesi të lartë të qeverisë malazeze nga radhët e shqiptarëve për herë të parë, besoj se është një premisë e mirë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe për të adresuar problemet e ndryshme të trashëguara nga e kaluara ose të sapo krijuar”, theksoi Çuçi.