Ministria e Mbrojtjes paralajmëron qytetarët për mot të keq në Shqipëri

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka parashikuar reshje lokale shiu, që mund të shoqërohen me përmbytje afatshkurtra dhe shkarkime elektrike, kryesisht në zonat malore të Shqipërisë gjatë 5 ditëve në vijim. Bazuar në këtë parashikim, Ministria e Mbrojtjes në mënyrë indirekte u ka bërë thirrje ditën e Premte qytetarëve që të mos shqetësohen, sepse “situata e pritur në vendin tonë është normale për llojin e stuhive në stinën e nxehtë dhe nuk ka asnjë ngjashmëri me situatën katastrofike, që kaluan vendet evropiane”. “Ndërkohë, të gjitha strukturat dhe kapacitetet e emergjencave civile janë aktivizuar dhe janë në gatishmëri, në nivelin qendror dhe lokal për zbatimin e planeve në rast përmbytjesh”, shtoi Ministria.

Moti

“Duke vlerësuar situatën në Evropën Juglindore dhe informacionet e marrë mbi ndikimin, që mund të kenë kushtet e motit në vendet e tjera, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit njofton se gjatë 5 ditëve të ardhshme në Shqipëri parashikohet një mot me reshje lokale shiu, që mund të shoqërohen me përmbytje dhe shkarkime elektrike kryesisht në zonat malore. Theksojmë se situata e pritur në vendin tonë është normale për llojin e stuhive në stinën e nxehtë dhe nuk ka asnjë ngjashmëri me situatën katastrofike, që kaluan vendet evropiane. Për një menaxhim sa më të mirë të mundshëm të çdo situate emergjente të mundshme, që mund të vijë si rezultat i kushteve të pafavorshme të motit, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të koordinojnë të gjitha fazat për përballimin e emergjencave civile”, theksoi Ministria.

Të paktën 120 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në Evropën Perëndimore, të shkaktuara nga reshjet më të dendura gjatë një shekulli, sipas ekspertëve. Në Gjermani 100 persona kanë humbur jetën, pasi përmbytjet e furishme përfshinë pjesët perëndimore dhe jugor të vendit duke shkaktuar shembjen e ndërtesave. Të paktën 20 persona kanë humbur jetën në Belgjikë. Luksemburgu dhe Hollanda janë gjithashtu vende të prekura nga përmbytjet.