Si arriti ky vend evropian të shmangë tragjedinë e përmbytjes

Të paktën 195 persona kanë humbur jetën në Gjermani dhe Belgjikë si pasojë e përmbytjeve, që erdhën furishëm. Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave të Kopernikut theksoi se kishte dërguar më tepër se 25 paralajmërime në rajone specifike të pellgjeve të lumenjve Rhin dhe Maas në ditët përpara përmbytjes. Por pak nga këto paralajmërime të hershme duket se janë marrë seriozisht nga banorët duke i kapur ata krejtësisht në befasi.

Në shumë vende të prekura rëndë, banorët u mbytën si pasojë e shpejtësisë së rrjedhës së ujit. Në luginën Ahr, një zonë veçanërisht e përmbytur në perëndim të Gjermanisë, zyrtarë të lartë u shprehën se paralajmërimet ishin lëshuar përpara katastrofës, por theksuan se shumë banorë nuk i morën aq seriozisht, sepse ishin mësuar me përmbytje intensive. Disa mund të ishin përpjekur të mblidhnin mjete dhe të zhvendosnin sendet e tyre me vlerë, ndërsa të tjerët menduan se do të ishin të sigurtë në katin e dytë të banesave, por përfunduan mbi çati. Në Belgjikë, gjithashtu, komunikimi dhe organizimi duket se kishin probleme.

Ndërkohë në Hollandë, përtej kufijve me zonat e shkatërruara nga përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë, pamja duket krejtësisht ndryshe. Hollanda gjithashtu përjetoi reshje ekstreme të shiut, megjithëse jo aq të mëdha sa ato në Gjermani dhe Belgjikë dhe nuk ka shpëtuar pa dëmtime. Por qytetet e saj nuk janë zhytur plotësisht dhe asnjë person i vetëm nuk ka humbur jetën. “Zyrtarët ishin më të përgatitur dhe ishin në gjendje të komunikonin me njerëzit shpejt”, deklaroi profesor Jeroen Aerts, shefi i departamentit të rrezikut të ujit dhe klimës në Universitetin Vrije në Amsterdam.

Hollanda

Hollanda ka një histori të gjatë të menaxhimit të ujërave dhe suksesi përballë kësaj katastrofe mund t'i ofrojë botës një plan, si të trajtojë përmbytjet, veçanërisht pasi pritet ndryshimi i klimës t'i bëjë më të zakonshme ngjarjet ekstreme të shiut. Vendi ka luftuar me nivelin e detit dhe lumenjtë e fryrë për rreth një mijëvjeçar. Tre lumenj të mëdhenj evropianë Rhin, Meuse dhe Scheldt kanë deltat e tyre në Hollandë dhe me pjesën më të madhe të territorit nën nivelin e detit, qeveria thekson se 60% e vendit është në rrezik nga përmbytja. Pjesa më e madhe e vendit po fundoset.

Infrastruktura e saj e administrimit të ujërave është ndër më të mirat në botë, që përfshin mure gjigante me krahë të lëvizshëm me madhësinë e dy fushave të futbollit, duna bregdetare që janë të përforcuara me rreth 12 milionë metra kub rërë në vit. Forca e saj qëndron kryesisht në organizim. Infrastruktura e vendit menaxhohet nga një degë e qeverisë kushtuar vetëm ujërave, Drejtoria e Përgjithshme për Punët Publike dhe Menaxhimin e Ujit, që kujdeset për rreth 1,500 kilometra mbrojtje.