Lituania do të ndërtojë një gardh me gjemba në kufirin me Bjellorusinë

Parlamenti i Lituanisë ka votuar ndërtimin e një gardhi në kufirin me Bjellorusinë për të ndaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm. Më tepër se 4,000 emigrantë kanë hyrë ilegalisht në Lituani, anëtare e BE-së, përmes Bjellorusisë gjatë këtij viti, një numër rekord. Zyrtarët lituanezë akuzojnë Bjellorusinë për prurjen e emigrantëve, të cilët më pas nisen drejt kufirit, një pretendim, që Bjellorusia e mohon.

Gardh

Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan më tej në muajin qershor, të këtij viti, pasi Bjellorusia detyroi një avion të kompanisë Ryanair, që shkonte drejt Lituanisë të devijonte në Minsk dhe arrestoi një gazetar të opozitës bjelloruse dhe të dashurën e tij në bord. BE-ja forcoi sanksionet një muaj më vonë. Që atëherë ka pasur një rritje të emigrantëve jashtë BE-së, të cilët kalonin nga Bjellorusia në Lituani, Letoni dhe Poloni.

Letonia planifikon të forcojë patrullat. Masa autorizon rojet kufitare, që të kthejnë emigrantët ilegalë me forcë. Lukashenko, megjithatë u zotua ditën e hënë se Bjellorusia nuk do të pranonte emigrantë nga fqinjët baltikë. Rizgjedhja e tij e diskutueshme një vit më parë shkaktoi protesta masive. Lituania synon të ndërtojë një gardh metalik 4 metra të mbuluar me tela në kufirin me Bjellorusinë. Pritet të kushtojë rreth 152 milionë euro. “Pa këtë barrierë fizike është e pamundur të mbrojmë kufijtë tanë”, deklaroi ministrja e brendshme Agne Bilotaite.