Ndahet nga jeta aktori i telenovelave indiane Sidharth Shukla në moshën 40-vjeçare

Sidharth Shukla, një aktor, model dhe prezantues indian ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare, sipas transmetuesit televiziv Colors TV, ku Shukla punonte. “Ne, në Colors jemi të pikëlluar dhe të shkatërruar nga humbja e papritur e anëtarit të familjes sonë, Sidharth Shukla. Ai do të na mungojë jashtëzakonisht shumë. Humbja e tij është e pariparueshme për ne dhe të gjithë industrinë”, theksoi kanali televiziv në mediat sociale ditën e enjte.

Shukla

Disa të famshëm indianë dhe fansat e Shukla gjithashtu shprehën në mediat sociale ngushëllimet e tyre. “Do të takohemi në parajsë vëlla”, shkroi modeli dhe aktori Asim Riaz në Twitter së bashku me një emoji me zemër të thyer. Aktorja Kiara Advani shprehu ngushëllimet e saj për familjen dhe të afërmit e Shukla. “Zot, kjo më theu zemrën”, shkroi ajo. “Shpirti yt të prehet në paqe #SidharthShukla”. Aktorja dhe këngëtarja Parineeti Chopra theksoi se “nuk mund ta besonte” lajmin duke postuar në Twitter: “U prefsh në paqe #SidharthShukla”.

Shukla filloi karrierën e tij si model dhe u bë indiani i parë, i cili fitoi konkursin “Modeli më i mirë në Botë” në vitin 2005. Në vitin 2008, ai u transferua në industrinë e kinemasë dhe televizionit, sipas Colors TV. Ai gjithashtu mori pjesë në shfaqje televizive realiste si “Big Boss” dhe “Fear Factor” dhe drejtoi “India's Got Talent”.