Uragani Ida: Të paktën 4 të vdekur në një strehim për shkak të kushteve të papërshtatshme

Prokurori i përgjithshëm i Luizianës njoftoi ditën e Premte se departamenti i drejtësisë po fillon një hetim të plotë mbi vdekjen e katër banorëve të shtëpive të pleqve, të cilët u transferuan në një magazinë më 27 gusht përpara ardhjes së Uraganit Ida. Me ardhjen e stuhisë më 29 gusht, departamenti i shëndetësisë theksoi se kishte marrë raporte për “përkeqësim të kushteve” në objektin, ku ishin transferuar banorët e shtëpive të pleqve. “Inspektorët u dërguan të martën katër ditë pasi banorët u çuan atje, por u dëbuan dhe u ndaluan të bënin një vlerësim të plotë”, sipas Departamentit të Shëndetësisë.

Uragani

“Duke cituar shqetësime të rëndësishme lidhur me kushtet, departamenti e largoi secilin person nga ndërtesa deri të enjten në mbrëmje”, deklaroi zyrtari i Shëndetit të Shtetit të Luizianës, Joe Kanter. Guvernatori u shpreh se gjithsej 843 banorë u zhvendosën nga vendi deri të enjten. “Katërmbëdhjetë nga banorët, të cilët u larguan duhej të dërgoheshin në spitale për trajtim ose vlerësim të mëtejshëm”, theksoi Kanter.

“Një banore e pestë e shtëpisë së pleqve, e cila po mbahej në depo para se të transferohej në një strehë të enjten, gjithashtu ndërroi jetë”, u shpreh të premten mjeku ligjor Dr. Jonathan Hunter. “Gruaja u shpall e vdekur të Premten në mëngjes”, deklaroi Hunter duke shtuar se vdekja e saj “do të konsiderohet e lidhur me stuhinë”. Hunter ka kërkuar që të bëhet një autopsi për të përcaktuar shkakun dhe mënyrën e vdekjes.