Phil Collins vuan nga probleme shëndetësore

Phil Collins u shpreh se nuk është më në gjendje të luajë në bateri për shkak të çështjeve shëndetësore. Muzikanti 70-vjeçar u shfaq në BBC Breakfast me anëtarët e grupit Genesis për të promovuar turneun e ribashkimit të grupit dhe Collins theksoi se do të ishte djali i tij, Nic Collins, i cili do të luajë në bateri me grupin. Përsa i përket baterisë, Collins deklaroi: “Do të dëshiroja, por e dini, të jem i sinqertë mezi mbaj shkopin me këtë dorë. Pra, ka disa gjëra fizike që më pengojnë”, shtoi ai.

Ai pranoi se do të donte të ishte atje duke luajtur me djalin e tij. “Më pëlqejnë sfidat fizike, gjë që është shumë zhgënjyese sepse do të më pëlqente të luaja atje me djalin tim”, theksoi ai. Në vend të kësaj, ai do të këndojë me grupin. Kur të përfundojë ky turne i ardhshëm, i vonuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, Collins u shpreh se nuk ishte i sigurtë nëse do të udhëtonte më gjatë.

“Të gjithë jemi burra të moshës sonë dhe mendoj se deri diku, ndoshta do të bëj pushim”, deklaroi ai.  Collins kishte pasur një seri frakturash gjatë viteve të fundit. Në 2015 iu nënshtrua një operacioni në shpinë, që e la atë me dëmtime nervore. Në vitin 2017 ai u rrëzua, gjë që bëri që ai të përdorte një bastun për të ecur.