Lindita Nikolla zgjidhet Kryetare e re e Parlamentit mes protestave të opozitës

Lindita Nikolla është kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë pas votimit të deputetëve. Fillimisht gjatë seancës u lexua raporti i komisionit të verifikimit të mandateve dhe më pas vazhdoi procedura e betimit të deputetëve të rinj të Kuvendit. Zgjedhjet u zhvilluan mbrëmjen e kësaj të premte me 79 vota pro dhe vetëm 4 kundër, që ishin votat e anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).

Në votim morën pjesë 137 deputetë, por deputetët e opozitës, të Partisë Demokratike të Shqipërisë vendosën që t’i grisnin fletët e votimit. Gjatë fjalës përshëndetëse pas përfundimit të votimit, kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë theksoi se opozita do të ketë hapësira të plotë në këtë legjislaturë.

“Përkushtimi ndaj Republikës, Kushtetutës dhe ligjit kanë qenë përherë detyrë për mua. Sot bëhen edhe një përgjegjësi shumë lartë. Kjo përgjegjësi dhe ky përkushtim janë sot aleatët e mi në detyrën e kryetares së Kuvendit”, deklaroi Nikolla.

Fjalimi i saj i parë para Parlamentit si Kryetare u pasua nga një zhurmë e deputetëve të opozitës, të cilët goditën me forcë tryezat e tyre duke e bërë të pamundur që ajo të dëgjohej. Pas pak minutash të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike braktisën Seancën Parlamentare duke refuzuar të dëgjojnë premtimet e para të kryetares së re.