Ndërron jetë aktori Art Metrano në moshën 84-vjeçare

Art Metrano, një komedian i njohur për rolin e tij si kapiteni i pamëshirshëm i policisë Ernie Mauser në dy filma të “Police Academy” ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Aktori humbi jetën si pasojë e shkaqeve natyrore në banesën e tij, në Aventura, Florida, ditën e Mërkurë, u shpreh djali i tij Harry Metrano për The Hollywood Reporter. Ditën e enjte djali i tij përkujtoi babain duke ndarë një fotografi së bashku në Instagram.

“Dje humba mikun tim më të mirë, mentorin tim, babanë tim. Ai ishte dhe do të jetë gjithmonë njeriu më i ashpër që njoh. Nuk kam takuar kurrë dikë, që ka kaluar më shumë fatkeqësi se ai”, shkruhej në mbishkrimin shoqërues. “Ai luftoi dhe fitoi aq shumë gjatë viteve, saqë unë gjithmonë e shikoja atë si të pathyeshëm, por e vërteta është se ne nuk jetojmë përgjithmonë në tokë, por shpirti i një personi mund të jetojë përgjithmonë brenda teje”.

“Baba, do të jesh gjithmonë pjesë e imja dhe unë do të vazhdoj të jetoj nga trashëgimia jote. Kur dikush të përmendë citatin: ‘legjendat nuk vdesin kurrë’ jam shumë i sigurt se po flasin për ty baba. Të dua dhe më mungon shumë! Një ditë do të të shoh përsëri. U prefsh në Parajsë. Ti tani je engjëlli im mbrojtës”, theksoi Harry Metrano.