Covid-19: Rritet numri i viktimave në Shqipëri

Numri i infeksioneve të reja me Covid-19 ka shënuar ulje këtë të hënë në Shqipëri. Por fatkeqësisht numri i viktimave është rritur. Ministria e Shëndetësisë informoi se 410 persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit nga 3499 teste të kryera nga spitalet publike dhe private.

Shumica e rasteve u identifikuan në Tiranë (147), Durrës (39), Fier (29), Lushnje (23), Vlore (22), etj. Fatkeqësisht, pesë persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit. Viktimat ishin dy shtetas nga Tirana, 55-75 vjeç, një nga Elbasani 61 vjeç, një nga Fieri 72 vjeç dhe një nga Shkodra 82 vjeç.

Nga ana tjetër, 552 persona janë shëruar duke e çuar numrin e përgjithshëm të të rikuperuarve që nga fillimi i pandamisë në 142,269 persona. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur për të mbrojtur veten dhe të afërmit e tyre dhe për të ndaluar përhapjen e virusit të rrezikshëm. “Vaksinohuni në qendrat më të afërta të vaksinimit sepse vaksinat antiCovid zvogëlojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin shtrimin në spital dhe vdekjet”, theksoi departamenti i Shëndetësisë.