Varhelyi: BE-ja duhet të intensifikojë bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor

Komisioneri Evropian Oliver Varhelyi paralajmëroi për një krizë të re emigrantësh nga Ballkani Perëndimor nëse premtimet e Bashkimit Evropian për zgjerim nuk përmbushen. Ai u shpreh për të përditshmen hungareze “Budapest Magyar Nemzet” se qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të krijojnë krizën e ardhshme të emigrantëve nëse zgjerimi dështon. Varhelyi  bëri thirrje BE-së për intensifikim të bashkëpunimit në rajon.

“Ne duhet t'i mbajmë premtimet tona për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se ky është një nga mësimet më të rëndësishme nga situata në Afganistan”, deklaroi ai. Varhelyi shtoi se integrimi i rajonit duhet të jetë një përparësi evropiane.

Sipas Komisionerit, qëllimi është të mbështesë stabilitetin dhe paqen afatgjatë në rajon. Ai theksoi se hapja e kapitujve në bisedimet e pranimit të Serbisë varet nga vendet anëtare të BE-së. Varhelyi u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kriteret për të hapur bisedimet e para-anëtarësimit.