Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë 11 marrëveshje bashkëpunimi

Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ditën e enjte, në Shkup në kuadër të sesionit të përbashkët kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshja më e rëndësishme është ajo për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë, ndërtimi i së cilës ka qenë pjesë e programeve zgjedhore të pothuajse të gjitha partive politike në Kosovë dhe i partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Përveç kësaj, të dy palët nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi për diasporën, rregullimin kufitar të bashkëpunimit të trafikut hekurudhor, për bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe sipërmarrjes dhe të qeverisjes lokale.

Marreveshjet

Ky është takimi i parë i përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ai i Kosovës Albin Kurti pas mbledhjes së përbashkët qeveritare, në konferencë për shtyp theksuan se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore. Kurti u shpreh se përveç bashkëpunimit ekonomik të dy vendet duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Vullneti i përbashkët që treguam në këtë mbledhje për ne është garanci që ajo që nënshkruhet në letër do të zbatohet në realitet”, deklaroi Kurti. “Nuk bëhet fjalë që është në shërbim të ministrave, sepse ministrat janë shtetërorë të qytetarëve dhe zbatimi i këtyre marrëveshjeve është kuptimi i mbledhjes së sotme”, theksoi ai. Delegacioni qeveritar i Kosovës i kryesuar nga kryeministri Albin Kurti në Shkup u prit me nderime të larta shtetërore.